
Sylvinho: Sfida me Letoninë shumë e rëndësishme
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, të premten në një konferencë për media, ka folur për dy ndeshjet e shtatorit, miqësoren kundër Gjibraltarit dhe sfidën kualifikuese të Kupës së Botës kundër Letonisë.
Tekniku brazilian theksoi se dueli me Letoninë është vendimtar për objektivat e Shqipërisë:
“Na kanë mbetur edhe 4 ndeshje, kemi bërë vetëm gjysmën e rrugëtimit. Përballja me Letoninë është shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të përgatitur maksimalisht”, tha ai.
Sylvinho u shpreh se miqësorja ndaj Gjibraltarit do t’i shërbejë lojtarëve me më pak minuta, ndërsa nuk është momenti për eksperimente, pasi ekipi ka nevojë për stabilitet.
Lidhur me lojtarët e rinj, ai tha se po ndiqen disa emra nga U-21, por ftesa e tyre do të vijë në kohën e duhur.


