Sveçla viziton policët në QKUK: Gjendja e tyre po përmirësohet

Sveçla viziton policët në QKUK: Gjendja e tyre po përmirësohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka vizituar policët e aksidentuar mbrëmë në veri, e të cilët janë shtrirë në QKUK dhe se gjendja e tyre shëndetësore po përmirësohet.

Sveçla ka bërë të ditur që është takuar edhe me familjarët e kolegët e policëve, të cilët dje janë aksidentuar në fshatin Grabovc të Leposaviqit pas rrëshqitjes me autoblindë.

“Me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional”, ka thënë ai, raporton rtk.

Sveçla ka deklaruar se shkaqet e aksidentit ende janë në hetim e sipër.

“Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre.  Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka shkruar ai në Facebook.

Të lënduar nga ky rast janë tetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Share This