Sveçla për policinë: Në dy ditë bilanc të jashtëzakonshëm për rend e ligj
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka nxjerrë bilancin e punës së Policisë së Kosovës në dy ditët e fundit në luftë kundër krimit të organizuar, duke e quajtur punë të jashtëzakonshme të tyre.
“6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim. Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla ka thënë se u është mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm po angazhohet për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur, siç thotë ai, që qytetarët të jetojnë, të lirë e të sigurt dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre.
“Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror”.
Sipas tij, profesionalizmi i zyrtarëve policor mbetet kyç, andaj çdo veprim i tejkaluar që dëmton imazhin dhe vlerat e Policisë së Kosovës nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar.
“Në dy raste të ndara, si shkak i dyshimit të keqtrajtimit të qytetarëve, janë suspenduar 5 zyrtarë policor. Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe është garanca e sundimit të rendit e ligjit për të gjithë e pa dallim. Ajo është e ngritur mbi vlera demokratike që para se gjithash respekton të drejtat e liritë e njeriut. Do të vazhdojmë mbështetjen tonë pakursim për Policinë e Kosovës, sukseset e së cilës jo vetëm që garantojnë siguri për vendin dhe qytetarët tanë, por edhe ngrisin lart Republikën tonë”, ka shkruar ministri Sveçla.