
Super-zëvendësuesi Sesko vulos fitoren e Man Unitedit ndaj Evertonit
Manchester United vazhdoi serinë pa humbje (5 fitore, 1 barazim) nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Michael Carrick, pasi triumfoi 1-0 ndaj Everton në kuadër të Premier League, në stadiumin Hill Dickinson, raporton Rekordi.net.
“Djajtë e Kuq” e nisën sfidën më kërkues, duke rrezikuar që në minutat e parë me Amad Diallon, por Jordan Pickford dhe James Tarkowski shpëtuan vendasit nga pësimi i hershëm. Mysafirët mbetën më këmbëngulës gjatë pjesës së parë, ndërsa Diogo Dalot provoi me një goditje të fuqishme nga distanca që kaloi pranë shtyllës.
Në anën tjetër, rasti më i mirë për vendasit erdhi nga James Garner, por portieri Senne Lammens reagoi saktë.
Pas pushimit, Evertoni u shfaq më i rrezikshëm dhe ishte pranë golit me Harrison Armstrong, por Lammens sërish ishte në lartësinë e detyrës. Edhe United pati shansin e vet me Bryan Mbeumon, i cili gjuajti mbi portë nga një pozitë e favorshme.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 71-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Cunha lëshoi një pasim të gjatë drejt Mbeumos, i cili asistoi për zëvendësuesin Benjamin Sesko. Ky i fundit realizoi me një goditje të saktë me të parën, duke dërguar topin në këndin e largët për 1-0.
Në minutat e fundit, Evertoni u hodh në sulm në kërkim të barazimit. Michael Keane rrezikoi me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Tyrique George pati një tjetër mundësi të artë, por Lammens ishte i pakalueshëm.
Me këtë fitore të rëndësishme, Manchester United ngjitet edhe më pranë kreut të tabelës, duke u afruar në vetëm tre pikë me vendin e tretë që mbahet nga Aston Villa. /Rekordi.net


