Super Rrahmani shënon dy gola dhe fiton “derbin” e shqiptarëve në Rumani
Albion Rrahmani, sulmuesi i Kosovës ka “shpërthyer” në Rumani, me sulmuesin i cili po kalon një superformë në aspektin personal.
23-vjeçari ishte heroi i Rapid Bucuresti në takimin e javës së 10-të përballë Cluj, me skuadrën e Rapid-it që triumfoi 3-1.
Rrahmani shënoi dy gola në këtë sukses ndaj Cluj, ku përballë ishin edhe dy lojtarë shqiptarë, Ajeti dhe Krasniqi, me mbrojtësin shqiptar që luajti si titullar, ndërsa sulmuesi dardan u aktivizua në minutën e 62-të.
Ish-sulmuesi i Ballkanit shënoi golin e parë të takimit në minutën e 5-të, ku pasi humbi penalltinë nuk u dorëzua, por nxitoi që ta dërgonte topin në portë për fragment sekondash.
Ndërsa Deac barazoi ndeshjen pas pesë minutash.
Në fraksionin e dytë, Rrahmani realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Rapid Bucuresti në minutën e 51-të. Teksa llogaritë e ndeshjes i mbylli Petrila me golin e minutës së 71-të, raporton SS.
Kjo ishte dopieta e tretë personale për Albion Rrahmanin, pasi më parë kishte shënuar edhe ndaj Dinamo Bucuresti më 1 shtator dhe ndaj U. Craiova më 25 gusht dhe tani shkon në kuotën e 6-të golave duke u pozicionuar si një nga pesë golashënuesit më të mirë të kampionatit rumun.