
Super Drita deklason Tre Fiorin, bën hapin e madh për play-off-in e LK
Drita ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën play-off të Ligës së Konferencës, pasi mposhti në udhëtim skuadrën e Tre Fiorit me rezultat të thellë 4:1, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues.
Skuadra gjilanase e nisi takimin me dominim të plotë në posedimin e topit, duke kontrolluar lojën dhe krijuar raste, por pa arritur të konkretizojë epërsinë në pjesën e parë.
Megjithatë, ishin vendasit ata që befasuan në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 56-të, Sami shërbeu me një pasim të gjatë për Prandellin, i cili e kontrolloi mirë topin dhe mposhti portierin Faton Maloku për 1:0.
Reagimi i Dritës ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, Ovouka shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Përmbysja erdhi shpejt. Në minutën e 63-të, pas një asistimi të saktë, Blerim Krasniqi realizoi me kokë për t’i dhënë epërsinë kampionëve të Kosovës.
Drita vazhdoi të kërkojë golin e qetësisë dhe e gjeti atë në minutën e 82-të, kur Besnik Krasniqi finalizoi me sukses një aksion të shpejtë për rezultatin 3:1.
Në kohën shtesë, skuadra gjilanase vulosi fitoren me golin e katërt. Besnik Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 90+4, duke e mbyllur takimin me rezultatin përfundimtar 4:1.
Me këtë fitore bindëse, Drita krijon një epërsi të konsiderueshme para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Nëse arrin ta ruajë këtë avantazh, kampionia e Kosovës do të sigurojë një vend në fazën play-off të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me fituesin e çiftit Inter Escaldes – Flora.

