
Sulmet ruse mbi Ukrainë, Trump: Putin është çmendur, po vret njerëz pa arsye
Sulmi më i madh rus që prej nisjes së luftës tri vjeçare ndaj Ukrainës, ka nxitur reagimin e ashpër të presidentit amerikan Donald Trump. Ky i fundit u shpreh se Putin “është çmendur plotësisht” dhe se ai “nuk është i kënaqur me atë që po bën presidenti rus”.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht! Ai po vret pa nevojë shumë njerëz, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po qëllohen në qytete në Ukrainë, pa asnjë arsye. nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit”, postoi Trump në Truth Social.
Kritika, presidenti amerikan drejtoi edhe ndaj homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit u shpreh se “heshtja e Amerikës” e inkurajon Putin të vijojnë sulmet.
Trump u shpreh se çdo gjë që deklaron Zelensky, shkakton probleme.
“Po kështu, Presidenti Zelenskyy nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në këtë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalet”, shkroi Trump.
Të paktën 12 persona u vranë në sulmet në të gjithë Ukrainën, përfshirë fëmijë, dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Rusia ka intensifikuar bombardimet ajrore të Ukrainës, ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi Putinin që të pranojë një propozim për armëpushim.
“Bota mund të shkojë me pushime, por lufta vazhdon, pavarësisht fundjavave dhe ditëve të javës. Kjo nuk mund të injorohet. Heshtja e Amerikës dhe heshtja e të tjerëve në botë vetëm sa e inkurajon Putinin”, tha Zelensky mëngjesin e së dielës (25 maj). /rtsh/