Sulmet ajrore ruse godasin Kievin, të paktën 6 të vrarë, mes tyre 1 i mitur. Zelensky kërkon përshpejtim negociatash

Sulmet ajrore ruse godasin Kievin, të paktën 6 të vrarë, mes tyre 1 i mitur. Zelensky kërkon përshpejtim negociatash

Rusia nisi sulme me raketa dhe dronë ndaj Kievit në orët e para të së enjtes (31 korrik), duke vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një djalë gjashtëvjeçar dhe nënën e tij dhe duke plagosur të paktën 82 të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia lëshoi më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa dhe goditi ndërtesa banimi në kryeqytet.

“Sot bota e ka parë edhe një herë përgjigjen e Rusisë ndaj dëshirës sonë për paqe me Amerikën dhe Evropën. Prandaj, paqja pa forcë është e pamundur”, tha Zelenski.

Duke e konsideruar sulmet të tmerrshme, ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të shtyjnë Moskën “të ulet në një tryezë të vërtetë negociatash”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i bëri thirrje Trump të mos presë deri më 8 gusht, por të përshpejtojë negociatat.

“Putini e bën me qëllim. Ai nuk interesohet për asnjë përpjekje për t’i dhënë fund vrasjeve. Ai vetëm kërkon të shkatërrojë dhe të vrasë. Sepse e gjithë ekzistenca e këtij krimineli lufte bazohet në këtë luftë të pakuptimtë, të cilën ai nuk mund ta fitojë, por refuzon ta përfundojë. Ai duhet të përballet me drejtësinë. Është koha ta bëjmë të ndiejë dhimbjen dhe pasojat e zgjedhjeve të tij. Është koha të ushtrohet presion maksimal mbi Moskën. Është koha të sinkronizohen të gjitha hapat e sanksioneve. Është koha të arrihet paqja përmes forcës.”, tha ai.

Rusia, e cila mohon se ka synuar civilët, ka shtuar sulmet ajrore në qytetet dhe qytezat ukrainase larg vijës së frontit të luftës, në muajt e fundit.

Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të vendosin tarifa dhe masa të tjera ndaj Rusisë nëse nuk tregon përparim drejt përfundimit të konfliktit. /rtsh/

Share This