Sulme masive ruse godasin Ukrainën për të dytën ditë rresht
Ukraina po përgatit një përgjigje ushtarake, pasi Rusia goditi vendin me një breshëri masive raketash, raketash dhe dronësh, për të dytë ditë rresht, në atë që zyrtarët thanë se ishte një nga sulmet më të rënda ajrore në dy vjet e gjysmë lufte.
”Pesëmbëdhjetë nga 24 rajonet e Ukrainës u goditën në sulmin e drejtuar kundër sektorit energjetik të Ukrainës”, tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal në Telegram.
Autoritetet thonë se numri i të vdekurve është shtatë, me 47 persona që thuhet se janë plagosur në të gjithë vendin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se kishte diskutuar reagimin e Ukrainës ndaj sulmit me komandantin e përgjithshëm, Oleksandr Syrskyi.
“Ne po e përgatisim atë, përdorimin e F-16 dhe operacionin në vazhdim në rajonin e Kurskut. Ne vazhdojmë veprimet tona në zonat e përcaktuara sipas nevojës për Ukrainën”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Më shumë se 120 raketa dhe më shumë se 100 dronë u lëshuan mbi Ukrainë.
Ai bëri thirrje për heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve me rreze të gjatë të furnizuara nga partnerët perëndimorë, të cilat aktualisht pengojnë Ukrainën të godasë thellë në territorin rus.
“Secila prej këtyre sulmeve na rikthen në mënyrë të përsëritur në detyrën e përdorimit të armëve me rreze të gjatë veprimi, që mund të shkatërrojnë terroristët pikërisht në zonat e sulmeve të tyre”, tha ai.
“Kjo është taktika optimale kundër terrorizmit, që çdo partner i yni ka të drejtë dhe padyshim që do ta përdorte për të mbrojtur veten”, shtoi ai.
”Prania e Ukrainës në rajonin e Kurskut dhe përpjekjet tona aktive për të eliminuar kërcënimin rus në territorin e saj janë gjithashtu një mënyrë për të kompensuar deficitin e armëve me rreze të gjatë veprimi”, tha Zelensky.
Të hënën vonë, autoritetet lokale thanë se një sulm ajror rus kishte goditur një hotel në Kryvyi Rih, vendlindja e Zelenskyt.
Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, konfirmoi sulmin në Telegram duke deklaruar se raketa goditi një strukturë civile duke vrarë një person dhe duke plagosur katër të tjerë. /atsh/