
Sulme ajrore dhe bombardime me artileri nga forcat izraelite
Avionët luftarakë dhe artileria izraelite kanë goditur disa zona në jug të Libanit, ndërsa operacionet ushtarake vijojnë pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), një sulm ajror izraelit goditi dje qytetin Haddatha, në qarkun Bint Jbeil, duke plagosur dy persona, mes tyre një fëmijë katërvjeçar.
Më herët, artileria izraelite kishte goditur qytetet Mansouri dhe Majdal Zoun, ndërsa të shtënat me mitralozë kishin shënjestruar zonën Beit al-Sayyad.
Bombardime me artileri u raportuan gjithashtu në periferi të Haddathas dhe Baraachit, si dhe në disa zona të tjera të qarkut Bint Jbeil, sipas agjencisë libaneze.
Sulmet ndodhin në kuadër të ofensivës ushtarake izraelite ndaj Libanit, e nisur më 2 mars.
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, ofensiva ka shkaktuar 4 386 viktima dhe 12 413 të plagosur.
Më 26 qershor, Libani dhe Izraeli nënshkruan në Uashington një marrëveshje kuadër, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të forcave izraelite nga territori libanez dhe vendosjen e ushtrisë libaneze në zonat e braktisura prej tyre.
Megjithatë, Izraeli ka vijuar sulmet edhe pas marrëveshjes dhe vazhdon të kontrollojë disa zona në territorin e Libanit, përfshirë territore që i mban nën kontroll prej shumë vitesh, si dhe zona të pushtuara gjatë operacioneve të fundit ushtarake. /atsh/

