Specialja: Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve deri tani janë 153 viktima pjesëmarrëse
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se deri tani në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, numri aktual i viktimave pjesëmarrëse është 153.
“Pas njoftimit të Mbrojtësit të Viktimave në këtë çështje gjyqësore për ndarjen nga jeta të një prej viktimave në fillim të këtij viti, tani numri aktual i viktimave pjesëmarrëse në çështjen Thaçi dhe të tjerët është 153”.
“Më shumë informacion lidhur me viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore mund të gjeni në rubrikën çështje gjyqësore dhe në një faqe tjetër në faqen tonë të internetit që është posaçërisht për viktimat pjesëmarrëse në të gjitha çështjet gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor, njofton Klankosova.tv.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.