Specialja e la të lirë por i vendosi shumë kufizime Hajredin Kuçit

Specialja e la të lirë por i vendosi shumë kufizime Hajredin Kuçit

Një varg kufizimesh nga Gjykata Speciale në Hagë, i janë vendosur ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, i akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Kuçi, i cili u deklarua i pafajshëm akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës në një rast ku të akuzuar janë edhe Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj.

Në vendimin e publikuar këtë muaj nga Dhomat e Specializuar në Hagë, janë aprovuar propozimet e ZPS.

“ZPS kërkon që përveç kushteve të vendosura ndaj z. Kuçi, gjyqtari i procedurës paraprake t’i vendos kushtin e mëtutjeshëm që të përmbahet nga çdo kontakt, në çfarëdo mënyre, me: (i) të bashkëakuzuarit e tij; (ii) të gjitha të tjerë të përmendur në aktakuzën e konfirmuar, përkatësisht Fahri Fazliu, Blerim Shala, Artan Behrami dhe Vllaznim Kryeziu (“Mr F. Fazliu”, “Mr Shala”, “Mr Behrami”, dhe “Z. Kryeziu”) (“Individë me emër”); dhe (iii) [RIDAKTUAR]11 [RIDAKTUAR] (gjithsej “Personat e ndaluar”) (“Kushti i mëtejshëm”). Sipas ZPS-së, ky kushtëzim shtesë është i nevojshëm për të ruajtur integritetin e procesit, duke shmangur paqartësi eventuale që mund dalin nga kushtëzimet e vendosura ndaj z. Kuçi”, raporton Dukagjini.

Dy emra, me të cilët Kuçi s’ka të drejtë kontakti janë të redaktuar, derisa mosrespektimi i vendimit dhe kushteve të vendosura, mund të çojë në arrestimin dhe ndalimin e tij.

Grafikë – Dhomat e Specializuara për Kosovën  (Nuk lexohet)

“Po ashtu, sa i përket [REDAKTUAR], Gjyqtari i procedurës paraprak konsideron se, edhe pse ata nuk akuzohen dhe/ose nuk janë të emëruar në Aktakuzën e Konfirmuar, ata: (i) vizituan së bashku Z. Thaçi më [REDAKTUAR], ku diskutuan mbi dëshmitë e dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara; dhe (ii) ishin objekt i diskutimeve midis Z. Thaçi dhe Z. Kuçi. Për rrjedhojë, Gjyqtari i procedurës paraprake është i bindur që ndalimi i çdo kontakti të drejtpërdrejtë ose të tërthortë midis Z. Kuçi dhe [REDAKTUAR] është i nevojshëm.”

Hajredin Kuçi është i vetmi i akuzuar që Gjykata Speciale e ka lënë në liri, meqë të tjerët janë nën masën e paraburgimit.

“Gjithsesi është një vendim i cili besoj që nuk ka peshë të madhe për jetën dhe veprën e Hajredin Kuçit në këtë rast është vendim që ja kufizon të komunikojë me disa persona dhe për dallim nga bashkë të akuzuarit tjerë ky vendim ndaj Hajredin Kucit është më i lehtë sepse ai mbrohet në liri dhe në paraqitjen në bazë të kërkesës..”, ka deklaruar Astrit Kolaj – Hulumtues, IKD.

Pos për krime lufte, Gjykata Speciale ka konfirmua aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit. Për veprat penale që lidhen me pengim të drejtësisë e ndikim në dëshmitarë, përfshihen edhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu.

Përveç Thaçit, i cili që nga viti 2020 është në paraburgim Kilaj, Fazliu e Smakaj, janë arrestuar e janë dërguar në paraburgim, vitin e kaluar. /Periskopi

Share This