SPANJË, Të paktën 95 të vdekur pas përmbytjeve të mëdha

SPANJË, Të paktën 95 të vdekur pas përmbytjeve të mëdha

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e mëdha në Spanjë është rritur në të paktën 95, thanë sot autoritetet.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez premtoi ndihmë të shpejtë për të prekurit nga fatkeqësia, duke ofruar të gjitha mjetet në dispozicion.

“Ne nuk do t’ju braktisim. E gjithë Spanja po qan me ju”, tha Sanchez.

“Të paktën 70 të vdekur u raportuan vetëm në rajonin lindor të Valencias, veçanërisht i goditur rëndë”, konfirmoi qeveria rajonale.

Dy trupa të tjerë u gjetën në rajonin fqinj të Castilla-La Mancha dhe dhjetëra persona të tjerë janë shpallur të zhdukur.

Shërbimi meteorologjik AEMET tha se situata në Spanjë nuk do të lehtësohet plotësisht deri të enjten.

Stuhitë kanë shkaktuar vërshimin e lumenjve, rrugëve, shtëpive dhe fushave – ndërsa makinat dhe pemët janë rrëmbyer nga përmbytjet.

Në jug dhe lindje të Spanjës, autostradat dhe rrugët rurale duhej të mbylleshin në shumë vende. Transporti ajror dhe hekurudhor u prek gjithashtu, ndërsa mësimi në shumë shkolla dhe universitete u anulua.

Për shkak të rrëshqitjes së dheut, një tren me shpejtësi të madhe – që udhëtonte nga Malaga në Madrid – doli nga shinat menjëherë pas nisjes me 291 pasagjerë në bord.

Megjithatë, hekurudha shtetërore e Spanjës “Renfe” nuk ka raportuar të plagosur.

Fatkeqësia u shkaktua nga “gota fría” – një term i përdorur në Spanjë -një fenomen i motit i zakonshëm në rajonin e Mesdheut spanjoll gjatë shtatorit dhe tetorit.

Ai ndodh kur rrymat e para me presion të ulët të Atlantikut, që mbartin ajër të ftohtë dhe të lagësht, përplasen me Mesdheun e ngrohtë, duke çuar në stuhi të forta.

Shërbimi meteorologjik e ka përshkruar ngjarjen si një “stuhi historike”, duke raportuar deri në 490 milimetra reshje në disa zona brenda një dite të vetme – një sasi që shihet zakonisht gjatë një viti të tërë.

Sipas zyrtarëve, kjo është stuhia më e rëndë e përjetuar në Valencia këtë shekull.

Fronti i shiut pritet të lëvizë sot në verilindje. Megjithatë, një paralajmërim për mot të keq ka mbetur në fuqi në pjesë të mëdha të vendit. /ATSH/

Share This