Sonte në sheshin `Skënderbeu` mbrëmja `Nexhmije Pagarusha` në RLIOF
Festivali Ndërkombëtar i Operas – Rame Lahaj, sjell mbrëmjen e parë muzikore të edicionit të 4-t, dedikuar muzikës shqipe. Mbrëmja “Nexhmije Pagarusha”, e cila për çdo vit zë vend të veçantë në programin e RLIOF, mbahet sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 20:30. Hyrja është e lirë për të gjithë ata që duan të shijojnë muzikën e mirëfilltë shqipe në një format unik.
Sipas njoftimit të festivalit, në harmoni perfekte me temën “T’knoftzemra”, kjo mbrëmje e festivalit sjell në skenën e ngritur në qiellin e hapur të sheshit “Skënderbeu” artistët ndërkombëtarë: mezo-sopranon e njohur nga Egjipti, Farrah El Dibany e cila do të këndojë në gjuhën shqipe.
Kryevepra të muzikës shqipe gjatë kësaj mbrëmje do të interpretohen edhe nga sopranot AdelinaThaçi e Kaltrina Miftarisi dhe baritoni Artur Vera.
Artistët në skenë do të shoqërohen nga Keli Bank nga Tirana, me anëtarë: Genti Shahini– pianist, Emiliano Dhimo- bateri, Roni.Gjura – double bass, Xhino Daja–trumpetë, Ilir Vorpsi, trombon dhe Brikel Guga – tenor saksofon.
“RLIOF ju pret në zemër të kryeqytetit për një mbrëmje të paharruar me muzikë shqipe”, thuhet në njoftim.