Sonte Kosova-Armenia, Dardanët synojnë fitore

Sonte Kosova-Armenia, Dardanët synojnë fitore

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Armeninë në një ndeshje miqësore që pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm për trajnerin Franco Foda dhe skuadrën e tij, në kuadër të përgatitjeve për kualifikuese e Kupës së Botës që nisin në muajin shtator.

Dardanët dhe armenët do të ballafaqohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kjo miqësore konsiderohet një mundësi e mirë për të parë në aksion lojtarë të rinj dhe për të testuar formacionin para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2026. Trajneri Foda është shprehur optimist për përballjen, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një grupi solid dhe të balancuar. “Kjo ndeshje është një mundësi për të konsoliduar lojën tonë dhe për të rritur harmoninë në skuadër. Armenia është një kundërshtar serioz dhe do të jetë një provë e mirë për ne”, ka thënë Foda.

Në këtë sfidë pritet të marrin minuta edhe disa lojtarë të rinj që janë grumbulluar për herë të parë. Kosova, e cila aktualisht po përgatitet për një cikël të ri kualifikues, kërkon të gjejë formën më të mirë dhe të krijojë vazhdimësi në rezultatet pozitive, ndërsa përballja me Armeninë shihet si një mundësi për të fituar besim dhe për të testuar alternativa të reja në çdo repart. Kosova tri ditë pas ndeshjes me Armeninë, përballet me Ishujt Komore, një tjetër miqësore që do të luhet në ‘Fadil Vokrri’.

Miqësorja mes Kosovës dhe Armenisë fillon në orën 20:45.

Share This