Sondazhi i Reuters & IPSOS: Harris zgjeron avantazhin përballë Trump
Sipas një anketimi të ri të opinionit publik, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris kryeson me 47% mbështetje përkundër ish-Presidentit republikan Donald Trump me 42%, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj pas debatit televiziv ku votuesit mendojnë se zonja Harris pati paraqitjen më të mirë. Anketimi i bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos u publikua të enjten.
Anketimi dyditor tregon se zonja Harris është në një avantazh prej 5% ndër votuesit e regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij viti, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj prej 4% përballë zotit Trump sipas anketimit të mëparshëm që pati bërë agjencia Reuters dhe firma Ipsos në periudhën 21-28 gusht.
Ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, zonja Harris mori 53% mbështetje, ndërsa 24% prej tyre thanë se debatin e kishte fituar zoti Trump. Rreth 52% e të anketuarve thanë se zoti Trump hasi në vështirësi dhe se nuk u shfaq në formën më të mirë, ndërsa 21% prej tyre thanë të njëjtën gjë për zonjën Harris.
Nën presidentja Harris, 59 vjeçe, e vendosi ish-Presidentin Trump, 78 vjeç, në pozita mbrojtëse gjatë një debati të nxehtë presidencial, me një seri sulmesh ndaj përshtatshmërisë së tij për detyrën e presidentit dhe sfidat e tij të shumta ligjore.
Anketimi përfshiu 1,690 amerikanë të moshës madhore në mbarë vendin, ndër ta 1,405 të regjistruar për të votuar këtë vit. Mundësia e gabimit të këtij anketimi është në nivelin rreth 3% ndër votuesit e regjistruar.
Megjithëse anketimet në nivel kombëtar, përfshirë anketimin e bërë nga agjencia Reuters dhe firma Ipsos, japin sinjale të rëndësishme për pikëpamjet e elektoratit, janë rezultatet shtet mbas shteti që certifikohen në Kolegjin Elektoral ato që përcaktojnë fituesin dhe pritet që rezultati përfundimtar të vendoset nga një numër i vogël shtetesh jetike për betejën elektorale.