S’ka konflikt interesi për rastin e Badovcit, Rama: E vërteta doli në shesh

S’ka konflikt interesi për rastin e Badovcit, Rama: E vërteta doli në shesh

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar se sot ka pranuar vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila ka mbyllur çështjen për konflikt interesi, duke konfirmuar se nuk kishte konflikt interesi mes tij dhe pronarëve privatë të Liqenit të Badovcit.

“Faktet flasin vet. E vërteta doli në shesh. Ky vendim reflekton përkushtimin tonë për transparencë dhe integritet në të gjitha veprimet tona”, ka shkruar Rama në Facebook.

Tutje i pari i kryeqytetit ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi, kanë bashkëpunuar plotësisht me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe kanë siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për të garantuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm.

“E vlerësoj punën profesionale dhe të paanshme të Agjencisë dhe i falënderoj qytetarët për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Puna jonë për transformimin e Prishtinës tonë, nuk mund të ndalet asnjëherë”, ka shkruar ai, raporton rtk.

Në fakt, në vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit thuhet: “Mbyllet rasti APK-DPKI-06-134/24 për zyrtarin e lartë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit”.

Share This