Situatë e rënduar nga vërshimet në shumë zona të vendit

Situatë e rënduar nga vërshimet në shumë zona të vendit

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin qysh nga mbrëmja e kaluar e të cilat po vazhdojnë ende kanë shkaktuar vërshime në shumë zona të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje nëpër shtëpi e biznese në zona të ndryshme, për çka është dashur edhe evakuim i banorëve.

Ministria e Infrastrukturës ka thënë se situatën po e përcjellin nga afër, derisa vetë ministri në detyrë, Hysen Durmishi tha se ka dalë në terren për të përcjellë situatën.

“Po e përcjellim nga afër situatën e vërshimeve në disa komuna të Kosovës. Sot isha në Drenas, ku pashë nga afër gjendjen në terren. Jemi në gjendje gatishmërie për të intervenuar kudo që ka nevojë, gjë që ia shpreha edhe kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci. Po ashtu, ekipet tona janë të angazhuara edhe në komunat e tjera të Republikës së Kosovës, duke e monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku është e nevojshme. Gjendja e rrugëve, përgjithësisht, është e mirë megjithatë, kujdesi i shtuar në trafik është i domosdoshëm”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.

Përmbytje ka pasur edhe në kryeqytet, derisa kryetari Përparim Rama ka treguar se kanë intervenuar në 40 raste.

“Ekipet e kryeqytetit janë vazhdimisht në terren dhe deri tani kanë intervenuar në mbi 40 raste, ndërkohë që situata po monitorohet pa ndërprerje. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po koordinon menaxhimin e situatës në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse”, ka njoftuar ai.

Si pasojë e vërshimeve, gjendje të jashtëzakonshme ka shpallur komuna e Malishevës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati.

Ai tha se kanë themeluar shtabin emergjent që gjatë gjithë ditës kanë qenë në nivel detyre, për t’i dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të komunës, e që thotë se aktualisht jetojnë në gjendje të jashtëzakonshme.

Ai tha se edhe më tutje po bëjnë përpjekje për të sanuar gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut e vërshimeve.

Si pasojë e situatës së krijuar, kjo komunë ka marrë vendim të shtyjë edhe fillimin e gjysmë vjetorit të dytë shkollor për datën 12 janar.

U tha se ky vendim është marrë duke u bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësim të motit, si dhe në gjendjen aktuale në terren në këtë komunë.

Situatë tejet e rënduar paraqitet në Drenas, ku si pasojë disa rrugë janë të pakalueshme.

Komuna e Drenasit ka njoftuar gjatë ditës se si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve, përgjatë lumit Drenica, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që për arsye sigurie të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet.

Edhe në Gjakovë gjendja vazhdon të jetë e rënduar, si pasojë e vërshimeve nga shiu i vazhdueshëm. Prandaj për të menaxhuar këtë situatë është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.

Komuna e Gjakovës thotë se në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbër, janë kryer evakuime të familjeve të prekura.

Ndërkohë, kanë bërë të ditur se për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale.

“Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania ‘Çabrati’ po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila konfirmon se gjendja është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjakovës.

Edhe komuna e Deçanit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, janë krijuar rrethana që në disa zona paraqesin rrezik potencial. Megjithatë, thonë se ekipet e emergjencës së komunës së Deçanit kanë qenë vazhdimisht në terren, me fokus të veçantë në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në zonën urbane të qytetit.

“Aktualisht, situata është stabile dhe nuk paraqet shqetësim serioz, por po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka ndërhyrë në pikat problematike, ndërsa ‘Higjiena’, Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe kompania ‘Hidrodrini’ janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë eventuale”, kanë thënë nga Komuna e Deçanit.

Ata kanë thënë se sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje të reja shiu, të cilat mund të ndikojnë në përkeqësimin e situatës, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Edhe Rahoveci ka themeluar Shtabin Komunal për Emergjencë, i cili thuhet se po operon në çdo kohë dhe koordinon të gjitha ndërhyrjet për menaxhimin e situatës dhe sigurinë e qytetarëve.

Komuna ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo rast që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Situatë e ngjashme është edhe në Mitrovicën e Jugut. Kryetari i kësaj komune, Faton Peci, i cili ka dalë në terren për të përcjellë nga afër situatën thotë se do të jenë pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrin të gjitha masat e nevojshme për intervenim.

“Në të ardhmen çdo projekt i investuar nga komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate që të minimizohen në maksimum rreziqet e tilla potenciale. Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, ka shkruar Peci.

Nga reshjet e dendura të shiut është prekur edhe qyteti i Prizrenit. Në shumë lagje janë krijuar grumbullime uji, ndërsa në disa zona është vërejtur edhe vështirësi në qarkullim. Veçanërisht është bërë e ditur se rruga kryesore në lagjen Dardania, e cila lidh Prizrenin me Prishtinën, ka mbetur nën ujë pas reshjeve. /rtk/

Share This