Situata me zjarret në Shqipëri, mbërrijnë dy avionë të Rumanisë
Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë kanë mbërritur në Shqipëri duke iu bashkuar operacioneve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona të vendit.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se dy avionët kanë mbërritur në Shqipëri, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
“Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t’u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike”, thuhet në njoftim.
I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira.
Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve dhe, tjetri, C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim.