
Sigal Prishtina arrin fitoren e tretë radhazi, mposht Prizrenin
Sigal Prishtina po vazhdon në formë të mirë në garat e elitës, ku fitoi ndaj Proton Cable Prizrenit, me rezultat 102:89 (30:23, 22:21, 22:23, 28:22), në javën e 22-të të ProCredit Superligës.
Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për kryeqytetasit në Superligë.
Bardhekaltrit e nisën ndeshjen më mirë dhe në çerekun e parë ishin në epërsi pothuajse gjatë gjithë kohës, ku epërsinë më të lartë e kishin 30:19, derisa e fituan këtë pjesë 30:23. Mysafirët vazhduan me lojë të mirë, për të barazuar shifrat në 32:32, dhe kaluan në epërsi 34:35, ku më pas u zhvillua lojë e barabartë, megjithatë në fund prishtinasit me shënime të sakta shkuan në pushim 52:44.
Kryeqytetasit kishin deri 15 pikë epërsi, 65:50, në periodën e tretë, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 74:67. Në dhjetë minutat e fundit, vetëm sa vulosën fitoren 102:89.
Cory Reeves ishte më i dalluari te vendasit me 23 pikë e shtatë kërcime, derisa te mysafirët Tervell Beck kishte 25 pikë e gjashtë kërcime dhe Jordan Johnson 23 pikë e nëntë asistime.
Sigal Prishtina ka 14 fitore e tetë humbje, ndërsa Proton Cable Prizreni pesë fitore e 17 humbje.