
Shtatë skuadra do ta përfaqësojnë Kosovën në EHF European
Plot shtatë skuadra anëtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës janë paraqitur për të garuar në kupa evropiane në edicionin e ardhshëm garues, 2025/2026.
Të gjitha shtatë skuadrat tona do të garojnë në EHF European Cup, përkatësisht në Kupën Evropiane, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës.
Te hendbollistët do të garojnë kampioni Rahoveci, fituesi i Kupës, Kastrioti i Ferizajt si dhe finalistja e kupës dhe gjysmëfinalistja e plejofit, Besa Famgas nga Peja. Prishtina nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e garimit kontinental.
Ndërkohë te hendbollistet do të garojnë kampioni dhe fituesi i Kupës, Istogu, finalistja e ‘Play-off-it’, Samadrexha, finalisti i Kupës dhe gjysmëfinalisti i ‘Play-off-it’, Ferizaj, dhe gjysmëfinalistja e ‘Play-off-it’, Shqiponja e Gjakovës.
Në javët në vazhdim do të tërhiqet shorti dhe po ashtu do të caktohet se në cilin raund të garave do të startojnë skuadrat kosovare.
Të kujtojmë që Federata e Hendbollit e Kosovës përkrah financiarisht të gjitha ekipet që garojnë në Evropë.