Shqipëria, dritëhije me Andorrën

Shqipëria, dritëhije me Andorrën

Një fitore e pastër, me tre gola të shënuar e pa pësuar asnjë, ishte nota kryesore pozitive e Shqipërisë në ndeshjen kundër Andorrës, mbyllur 3-0, me golat e Rey Manajt dhe Myrto Uzunit. Përballë një kundërshtari modest, të cilit kuqezinjtë nuk i lejuan asnjë gjuajtje për 90 minuta, fitorja ishte detyrimi minimal dhe në këtë aspekt skuadra e përmbushi misionin, duke marrë atë që duhej e që pritej prej saj.

E bindur që përballë do të kishte një skuadër të mbyllur në mbrojje, skuadra kuqezi e nisi vrullshëm ndeshjen, me synimin për të gjetur shpejt golin, për të mos i lejuar kundrështarit të fitonte besim me kalimin e minutave. Dy gola brenda 20 minutave ishin starti perfekt, me lojë sulmuese, kombinime të mira midis lojtarëve të repartit, ku spikati Armando Broja, tepër i lëvizshëm, e mbi të gjitha tepër altruist, një version i ri e i përmirësuar i sulmuesit ende i ri në moshë e që ka për t’i dhënë shumë kombëtares në vitet në vazhdim.

Fitorja nuk u vu asnjëherë në diskutim, por edhe ndeshja më e bukur i ka dritëhijet e saj dhe suksesi 3-0 kundër Andorrës nuk bën përjashtim. Pas dy golave të shpejtë, kuqezinjtë e humbën ritmin, menduan shumë herët të administronin rezultatin e të menaxhonin forcat, pa synuar seriozisht shënimin e golave të tjera.

Loja kolektive u harrua, sidomos në pjesën e dytë, dhe sulmet ishin më tepër individuale, aq sa goli i tretë, shënuar nga Uzuni, më tepër ishte befasues se sa rrjedhë logjike e lojës. Këtu nuk është fjala për të bërë të fortin përballë një kundërshtari të dobët, por për të rritur shanset e kualifikimit, një objektiv i deklaruar i kombëtares.

Në një grup ku vendi i parë duket “pronë” e Anglisë, gara për vendin e dytë do të jetë me Serbinë, me të cilën mund të ndahen pikët. E në rast barazimi pikësh në renditje, ai që vendos është golaverazhi dhe Shqipëria të hënën në mbrëmje e humbi rastin ta përmirësonte ndjeshëm atë.

Një lloj naiviteti i panevojshëm, që vetëm fundi do ta tregojë nëse do të ketë kosto të rëndë. Tani vëmendja është te 7 qershori, dita e takimit me Serbinë, kundërshtar i fortë e rival direkt. Ka ende shumë të panjohura deri atëherë, por një gjë është e sigurt, motivimi dhe lufta për fitore nuk do të mungojë.

Share This