Shqipëri, parashikimi i motit

Shqipëri, parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e shtunë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe me intervale afatshkurtra me diell kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore në orët e para të ditës.

Reshjet e shiut parashikohen të bëhen prezente në orët e mesditës me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit. Në orët e pasdites deri në mbrëmje vonë reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në jug reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër.

Në zonën e Alpeve dhe relievet malore në verilindje-lindje-juglindje në lartësitë mbi 1000-1100 metra priten reshje bore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-juglindje  me shpejtësi mesatare 10 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era hera-herës pritet të rrijë deri 17 m/s, me valëzimin në dete të forcës 2-4 ballë, raporton atsh.

Share This