Shorti për EURO 2024 mund të jetë i frikshëm
Tashmë pothuaj dihet gjithçka në lidhje me shortin që pret Shqipërinë në 2 dhjetor në Hamburg, për fazën e grupeve në EURO 2024.
Vazot tashmë janë mësuar se cilat kombëtare përmbajnë dhe me kuqezinjtë në vazon e dytë frika më e madhe vjen nga Holanda dhe Italia, respektivisht në vazon e tretë dhe të katërt. Me vijën e parë elitare ku bëhet e vështirë të zgjedhësh më të lehtën, ndoshta Franca, Spanja, Anglia e Portugalia janë ato me të cilat pothuaj as nuk mund ta luash.
Në variantin më të keq, Sylvihno do ta shohë veten të shortuar me njërën prej tyre, Holandën dhe Italinë. Brazilianit ky kombinim duhet t’i dalë edhe në ëndërr dhe shpresat janë që goglat në Hamburg të peshkojnë krejt tjetër gjë. Pikërisht kështu, sepse kombinime, në një farë mënyrë, për sa mund të lejojë një kampionat Evropian, mund të ekzistojnë.
Kështu nga vazo e parë mund të peshkohet një mes Gjermanisë organizatore në krizë dhe Belgjikës, nga e treta Çekinë, që e kemi të provuar se mund ta mposhtim, duke i marrë 4 pikë në dy përballjet në grupin E eliminator.
Pastaj, nga e katërta, në pritje të mësohen skuadrat që do të kualifikohen nga playoff-i më e mira e mundshme është Serbia. Kuqezinjtë do të ishin gati të firmosnin për këtë variant të fundit, por synimi është, cilidoqoftë kombinimi i shortit, për të bërë më mirë se në debutimin në një kampionat evropian në 2016, nga ku dolëm me një fitore e dy humbje.