
Shkon në 27 numri i viktimave nga rrëzimi i një avioni ushtarak mbi një shkollë në Bangladesh
Të paktën 27 persona, përfshirë 25 fëmijë, humbën jetën kur një avion luftarak i Forcave Ajrore të Bangladeshit u rrëzua mbi një shkollë në kryeqytetin Daka.
Ngjarja ndodhi të hënën (21 korrik), kur një avion tip F-7 BJI, u përplas me godinën dykatëshe të Shkollës dhe Kolegjit Milestone, në një moment kur nxënësit sapo kishin përfunduar mësimin dhe po dilnin jashtë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, përveç viktimave, mbi 170 persona u plagosën.
Zyrtarët ushtarakë njoftuan se avioni ishte në një mision rutinë stërvitor kur pësoi një defekt mekanik të papritur. Piloti tentoi ta largonte mjetin nga zonat e populluara, por nuk mundi të shmangte përplasjen me shkollën.
Ky aksident cilësohet si më i rëndi në dekada për Bangladeshin. Qeveria e Bangladeshit shpalli ditën e martë si ditë zie kombëtare.
“Ndihem thellësisht i pikëlluar për këtë humbje të pariparueshme,” shkroi në një postim në platformën X zyrtari qeveritar Yunus, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, komunitetin e shkollës dhe Forcat Ajrore të vendit, raporton rtsh.


