
Shefi i NATO-s flet për Luftën e III Botërore, Rusia i kundërpërgjigjet: Ke ngrënë shumë kërpudha magjike holandeze!
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar këtë fundjavë se Lufta e Tretë Botërore do të nisë me sulme të njëkohshme nga Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës sugjeroi se sulmet e kombinuara nga liderët e Kinës dhe Rusisë mund të shkaktojnë një makth lufte botërore dhe ta çojnë planetin në prag të “Armagedonit”.
Sipas shefit të NATO-s, Kina do të përpiqet të marrë kontrollin e Tajvanit, ndërkohë që do të sigurohet që diktatori i Kremlinit të sulmojë njëkohësisht territore të NATO-s, mes frikës se Putini tashmë po i hedh sytë drejt republikave baltike Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Duke theksuar nevojën urgjente për të rritur buxhetet ushtarake, Rutte i zbuloi The New York Times një vizion të frikshëm për të ardhmen.
“Të mos jemi naivë për këtë. Nëse Xi Jinping do të sulmonte Tajvanin, ai më parë do t’i telefononte partnerit të tij shumë më të vogël, Vladimir Vladimirovich Putin, në Moskë, dhe do t’i thoshte: ‘Hej, unë do të bëj këtë, dhe më duhet të më ndihmosh në Europë duke sulmuar territore të NATO-s’. Kjo është mënyra më e mundshme se si do të zhvillohet situata, dhe për t’i penguar ata, duhet të bëjmë dy gjëra”, deklaroi Rutte.
Duke vazhduar paralajmërimin e tij të frikshëm, Rutte shpjegoi edhe zgjidhjet që ka në dorë Perëndimi.
“E para është që NATO, në mënyrë kolektive, të jetë aq e fortë sa rusët të mos guxojnë ta bëjnë këtë. Dhe e dyta, të punojmë së bashku me rajonin Indo-Paqësor – diçka që presidenti Trump e promovon shumë, sepse kemi një ndërlidhje të ngushtë, dhe duhet të punojmë bashkë në industrinë e mbrojtjes dhe në inovacion mes NATO-s dhe Indo-Paqësorit”, shtoi kreu i NATO-s.

