Shefi i GP të AAK-së thotë se administrata shtetërore është në bllokadë!
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë një konference për medie ka thënë se administrata shtetërore është në bllokadë.
Ai ka thënë se vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik.
“Çka duhet të dihet: Kohëzgjatjen e funksionit e kufizon ligji, rrjedhimisht nuk ekziston mundësia që me akt nënligjor, siç është vendimi për zgjatje mandati, përtej atij që është shprehimisht i përcaktuar në ligj. Andaj, të gjitha vendimet që nënshkruhen nga Ushtruesit e Detyrës të cilët janë në funksion mbi një vit, mund të konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të mos prodhojnë asnjë efekt juridik ndaj palëve. Unë nuk kam asgjë kundër emrave të përveçëm që i bartin këto funksione, por kjo praktikë e shkatërron shërbimin civil duke partizuar e politizuar administratën shtetërore, duke e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e akteve që nënshkruhen nga këta ushtrues detyre”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka treguar se çka thotë Ligji: “Neni 35 Ushtruesja/i e/i detyrës 1. Në rast se një pozite e nivelit drejtues brenda strukturës organizative te institucionit mbetet e lire, nëpunësja/i i nivelit te larte drejtues. 2. Ne pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, ushtruesja/i i detyrës mund të caktohet zyrtarja/ime i larte i kategorisë pasuese, në vartësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit. 3. Zyrtarja/i publik nuk mund te caktohet si ushtruese/i detyre me gjate se gjashte (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjasë më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë. 4. Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për me gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni. 5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar ne paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm. Urgjentisht, duhet interpretim nga ministria e linjës, pra MPB, përndryshe, shteti bie në bllokadë”, ka thënë Tahiri.