SHBA-të dhe Izraeli shkatërrojnë hyrjet e komplekseve nëntokësore iraniane

SHBA-të dhe Izraeli shkatërrojnë hyrjet e komplekseve nëntokësore iraniane

Një hetim i CNN ka zbuluar se SHBA-të dhe Izraeli kanë ndërmarrë një fushatë ajrore të gjerë për të çaktivizuar sistemet e armëve të Iranit, përfshirë lëshuesit e raketave dhe objektet nëntokësore.

Analiza e imazheve satelitore të 32 bazave raketore iraniane tregoi se të gjitha ishin goditur nga bombardimet, me synim hyrjet e tuneleve, ndërtesat sipërfaqësore dhe kryqëzimet rrugore.

Sipas CNN, të paktën 77% e 107 hyrjeve të tuneleve të analizuara janë bombarduar, ndërsa imazhet satelitore treguan edhe 15 lëshues raketash të dëmtuar.

Ekspertët theksojnë se fushata synon të pengojë Iranin të përdorë qytetet e tij nëntokësore për rimbushjen e sigurt të raketave, përpara se ato të lëshohen kundër objektivave amerikane dhe aleate në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sipas ekspertit të sigurisë Ankit Panda nga Carnegie Endowment for International Peace, objektet e ndërtuara brenda maleve nuk mund të shkatërrohen plotësisht.

Ai vlerëson se bombardimet kanë ndikuar ndjeshëm në aftësinë e Iranit për të kryer lëshime të shpejta, duke ulur ritmin e sulmeve me raketa dhe drone me mbi 90% që nga fillimi i luftës.

Pavarësisht kësaj, ekspertët paralajmërojnë se Irani mbetet i aftë të godasë objektiva strategjikë, si anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Vlerësimet e paraluftës sugjeronin se Irani kishte mijëra raketa balistike, por vetëm disa qindra lëshues funksionalë – një pengesë që është dobësuar ndjeshëm nga fushata ajrore e SHBA-së dhe Izraelit.

Analiza e CNN tregoi gjithashtu prova të riparimeve të shpejta në disa hyrje të tuneleve të dëmtuara. Në një bazë pranë Isfahanit, pajisje ndërtimi u panë duke hapur një hyrje të bllokuar më pak se 48 orë pas bombardimit.

“Do të vazhdoni të shihni disa lëshime,” tha Sam Lehr nga Qendra James Martin për Studimet e Mospërhapjes. “Nuk mendoj se do të zhduken, por mendoj se do të pakësohen ngadalë.” /rtsh/

Share This