
SHBA shtyn sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, Trump: Bisedimet me Iranin po shkojnë shumë mirë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet me Teheranin po përparojnë pozitivisht, ndërsa ka vendosur të zgjasë pauzën e sulmeve ndaj centraleve energjetike iraniane.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi se, “sipas kërkesës së qeverisë iraniane”, ai ka vendosur të shtyjë me 10 ditë ndërprerjen e sulmeve, deri më 6 prill 2026 në orën 20:00. Fillimisht ishte shpallur një pauzë pesëditore, e cila do të përfundonte së shpejti.
Sipas presidentit amerikan, Irani kishte kërkuar një ndërprerje shtatëditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, por ai vendosi t’i japë dhjetë ditë, duke shtuar se Teherani ishte “shumë mirënjohës” për këtë vendim.
Trump përmendi gjithashtu se Irani kishte lejuar kalimin e anijeve cisternë nëpër Ngushtica e Hormuzit si një “gjest” gjatë bisedimeve.
Më herët gjatë ditës, në një mbledhje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, konfirmoi se SHBA-të i kanë paraqitur Iranit një plan paqeje me 15 pika.
Megjithatë, Irani ka mohuar se janë duke u zhvilluar negociata për t’i dhënë fund konfliktit dhe nuk i është përgjigjur zyrtarisht vendimit të fundit të Trump. Më parë, Teherani kishte deklaruar se po pret një përgjigje nga Uashingtoni lidhur me kushtet e tij për një armëpushim.
Trump paralajmëroi gjithashtu se SHBA-të do të bëheshin “makthi më i keq” i Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje. /rtsh/

