SHBA intensifikon sulmet ndaj Iranit, Teherani kundërpërgjigjet

SHBA intensifikon sulmet ndaj Iranit, Teherani kundërpërgjigjet

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka përfunduar një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iran, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të krizës në Lindjen e Mesme.

Operacioni, i konfirmuar nga Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), zgjati rreth pesë orë dhe kishte në shënjestër baza ushtarake, sisteme të mbrojtjes bregdetare, raketa, dronë dhe kapacitete detare iraniane në disa zona strategjike, përfshirë Bushehrin, Bandar Abbasin, Jaskun, Chabaharin, Konarakun dhe ishullin Abu Musa.

Sipas autoriteteve amerikane, sulmet synonin dobësimin e aftësive ushtarake të Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për furnizimin global me naftë dhe gaz.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se Irani ka ndërmarrë kundërsulme ndaj objektivave amerikane në rajon. Sipas deklaratës së saj, raketa balistike iraniane goditën një bazë ajrore amerikane në Jordani, ndërsa sulme me raketa dhe dronë u kryen edhe ndaj objekteve ushtarake amerikane në Bahrein.

IRGC pretendon gjithashtu se dy supertankerë u goditën dhe u çaktivizuan pasi, sipas saj, kishin injoruar paralajmërimet iraniane dhe kishin tentuar të kalonin nëpër një zonë të minuar në Ngushticën e Hormuzit, raporton rtk.

Autoritetet iraniane akuzojnë SHBA-në se po përpiqet të destabilizojë rajonin dhe paralajmërojnë se çdo shkelje e rregullave të vendosura nga Teherani për lundrimin në këtë ngushticë do të përballet me reagim ushtarak.

Share This