“Serbia s’e strehoi Fatonin, por e vrau – as ai s’u strehua aty, por sulmoi”: Haxhiu sërish shtang të gjithë
“Serbia nuk e strehoi Faton Hajrizin, por e vrau – njëjtë, Faton Hajrizi nuk u strehua (në Serbi) por sulmoi”.
Me këtë kundër-pohim, gazetari Lirim Mehmetaj, rrëzoi krejt përpjekjen e dëshpëruar të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ta lidhur arratisjen nga burgu të Faton Hajrizit me shtetin serb; ndërlidhje kjo e cila zgjoi dje indinjatë të thellë qytetare.
Pushteti e gjeti veten dje në ngërçin e vetë deklarimeve të tyre prej më të pabesueshmeve. Fillimisht thanë se kapja dhe rikthimi i Faton Hajrizit në vendin e tij në burg nga ku kishte ikur ishte “çështje orësh” (Xhelal Sveçla), pastaj thanë – në ofendim të mendjes së shëndosh – se “nuk është arratisje, por largim” (Blerim Sallahu); dhe kur krejt ngjarja u kthye n tragjike pas vrasjes së tij mes praktikisht dy-Serbive (Serbisë dhe Republka Srpska-s) u kthyen në argumentin e tyre final justifikues: fajësuan Beogradin për organizim të ikjes së tij në rend të parë (Albulena Haxhiu).
Me një shkrim të vetëm, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, arriti të përkthejë me logjikën e vet – siç di vetëm ajo – që Shërbimi Korrektues i Kosovës po u kontrolloka nga Serbia, sepse “…arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë”.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, shkroi ajo.
Për juristin e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Grudën, Haxhiu me arsyetimin e saj “shpalli kapitullimin e punës së saj” duke e vlerësuar për “sjellje totalisht joprofesionale, të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për vendin”.
Gazetari Mehmetaj ia bëri analizën (pa)logjikës së Haxhiut, dhe e artikuloi si tentim për të shpëtuar “pozicionin moral”.
“S’ka lidhje cila është e vërteta e fakteve për ta, por si po perceptohet në publik. Kaq ju duhet. Ata e duan shumë kapitalin moral në çdo ndodhi, sepse ashtu janë mësuar të fitojnë dhe s’dinë rrugë tjetër”, shkroi Mehmetaj.
Gazetari vëren se qeveria u shtangos kur e gjeti veten, sipas tij, “në deklarata të njëjta për Fatonin si Ivica Daçiqi (Ministri i Brendshëm i Serbisë”.
“Mbani sytë hapur e rrini mendje kthjellët, sepse do provojnë të krijojnë një spin në këtë situatë me patjetër. Ata e dinë, askush e asgjë s’i ka nxjerr kaq lakuriq si Faton Hajrizi, përkundër se me shumë gjasë ai s’ishte qëllimi i tij”, ka shkruar Mehmetaj.
Gazetari Vehbi Kajtazi, shtroi pyetjen – simbas përkthimit të logjikës së Albulena Haxhiut – që nëse Serbia po i kontrolloka burgjet kosovare “atëherë çka na duhet një ministre si kjo?” dhe shtoi se ajo duhet të merret menjëherë në pyetje nga prokuroria.
“Deklarata e Haxhiut për arratisjen dhe vrasjen e Faton Hajrizit është ma skandalozja që kam lexu. Prokuroria Speciale qysh sot duhet të ndërmarrë veprime dhe ta marrë në pyetje, Albulena Haxhiun si dëshmitare, sepse nëse kjo është e vërtetë, atëhere ne nuk kemi kontroll mbi asgjë në Kosove”, ka shkruar Kajtazi.
Policia e Kosovës është raportuar se ka arrestuar mbrëmë dy persona me dyshime se kanë ndihmuar në arratisjen e Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës. /nacionale/