Senatori Bob Menendez shpallet fajtor për korrupsion
Senatori Bob Menendez u shpall fajtor nga një gjykatë në Nju Jork për marrje ryshfeti, përfshirë para në dorë, objekte floriri dhe një makinë luksoze nga tre biznesmenë të Nju Xhersit.
Gjatë procesit që zgjati nëntë javë, prokurorët thanë se demokrati i Nju Xhersit abuzoi me pushtetin e postit të tij për të mbrojtur disa njerëz nga hetimet kriminale. Ai gjithashtu u akuzua se ndihmoi bashkëpunëtorët e tij për t’u pasuruar, përfshirë gruan e tij, përmes veprimeve që përfshinin takime me zyrtarë të zbulimit egjiptian dhe duke ndihmuar atë vend të marrë miliona dollarë në ndihma ushtarake amerikane.
Senatori Menendez nuk dëshmoi, por këmbënguli publikisht se ai po bënte vetëm detyrën e tij si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai tha se shufrat e arit të gjetura në shtëpinë e tij në Nju Xhersi nga FBI-ja i përkisnin gruas së tij.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senatin amerikan, Chuck Schumer, i bëri thirrje senatorit Bob Menendez të japë dorëheqjen të martën pas shpalljes së tij fajtor.
“Pas shpalljes fajtor, senatori Menendez duhet të bëjë atë që është e drejtë për votuesit e tij, Senatin dhe vendin tonë dhe të japë dorëheqjen”, tha zoti Schumer, demokrat nga Nju Jorku, përmes një deklarate.
Shpallja fajtor vjen katër muaj para zgjedhjeve dhe praktikisht eliminon çdo shpresë që senatori Menendez kishte për të bërë fushatë për t’u rizgjedhur si kandidat i pavarur.
Ndaj senatorit ishte ngritur padi si edhe ndaj dy biznesmenëve të Nju Xhersit. Të tre thanë se ishin të pafajshëm. Një tjetër biznesmen e pranoi fajësinë përpara gjyqit dhe dëshmoi kundër senatorit Menendez dhe të pandehurve të tjerë.
Gruaja e Senatorit, Nadine, gjithashtu u akuzua, megjithëse gjyqi i saj është shtyrë ndërsa ajo të rimëkëmbet nga një operacion i kancerit të gjirit.
Gjatë bastisjes së vitit 2022 në shtëpinë e Senatorit në Nju Xhersi, agjentët e FBI-së konfiskuan shufra ari me vlerë afro 150,000 dollarë dhe mbi 480,000 dollarë para në dorë. Një pjesë e parave ishte fshehura në çizme dhe xhaketa të zbukuruara me emrin e senatorit.
Gjatë argumenteve përmbyllëse në gjykatë javën e kaluar, avokatët shpenzuan mbi 15 orë duke i nxitur anëtarët e jurisë që të studionin me kujdes provat.
Prokurorët përmendën raste të shumta kur thanë se senatori Menendez i ndihmoi biznesmenët. Ata gjithashtu argumentuan se përpjekjet e tij për të përshpejtuar një ndihmë me vlerë 99 milionë dollarësh në municione për helikopterë për Egjiptin, krahas komunikimeve të afërta me zyrtarët e lartë egjiptianë, treguan se ai po i shërbente interesave të Egjiptit si agjent i tyre.
Avokatët e senatorit Menendez këmbëngulën se ai nuk mori kurrë ryshfet dhe se veprimet që ai ndërmori për të ndihmuar biznesmenët ishin pjesë e detyrave që priten nga një zyrtar publik. Ata thanë se ai thjesht po kryente përgjegjësitë që i kishte obligim në rolin e tij si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, një post prej të cilit ai u detyrua të hiqte dorë pasi iu ngritën akuzat.
Senatori Menendez njoftoi disa javë më parë se ai planifikon të kandidojë për rizgjedhje këtë vit si i pavarur. /VOA/