Selmanaj e quan Kurtin “kryeministër aksidental”: Hovenier e tha qartë që po punon kundër planeve të Amerikës
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar pas një deklarate të bërë dje në Gjakovë nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili ka thënë se Qeveria Kurti ka marrë disa vendime të cilat ia pamundësojnë SHBA-së të arrijë atë që dëshiron për Kosovën.
Selmanaj thotë se ambasadori amerikan po e thotë qartë që kryeministri Albin Kurti po punon kundër planit amerikan për Kosovën.
Tutje deputeti i LDK-së ka pyetur se cili është plani i kryeministrit Albin Kurti për Kosovën, meqë s’është ai i SHBA-së. Selmanaj ka thënë se situatë më e keqe se si është aktualisht, s’mund të bëhet, derisa Kurtin e ka quajtur kryeministër aksidental.
Ai ka kritikuar edhe presidenten Osmani për heshtje ndaj këtyre deklarimeve.
Reagimi i plotë:
A ju kujtohet Albini kur thoshte: “S’di pse dikush u befasua që ambasadori amerikan ka më shumë informata se unë”?!
E pra, bash ai ambasadori i njëjtë amerikan sot qartazi thotë që Qeveria e Kurtit po punon kundër planit amerikan për Kosovën. Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë që dyshojnë në planin e Amerikës për Kosovën.
Atëherë shtrohet pyetja: Cili është plani i Albinit? Nëse nuk është në përputhje me planin amerikan , për cilin plan punon Albini?
Për shumë dekada, burra dhe gra si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë, kanë punuar shumë që Kosova të jetë në planet e Amerikës. Tani kemi një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës .
Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet. Fatkeqësisht, sot nuk nuk mundesh me qenë edhe me Kosovën, edhe me Amerikën dhe me përkrahë Albinin.
Duhet ta dijmë të gjithë që Aleanca e popullit të Kosovës me SHBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental.
Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: “Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane”, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri.