
Sami Lushtaku i përgjigjet Alban Krasniqit të LV-së: Kush mendon se mundet të më gjunjëzojë le ta provojë
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku i është kundërpërgjigjur Alban Krasniqit, bashkëshortit të Albulena Haxhiut, përmes një reagimi në “Facebook”, i cili pati deklaruar se Sami Lushtaku, Daut Haradinaj, etj., kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive.
Lushtaku, ka deklaruar se Serbia nuk arriti ta gjunjëzojë, pavarësisht se më 11 korrik 1997 e dënoi me 20 vjet burgim në mungesë, nën akuzat për terrorizëm.
Sipas tij, sot disa shqiptarë po përdorin të njëjtën gjuhë që, sipas tij, dikur e përdorte Serbia.
“Më 11 korrik 1997, Serbia më dënoi me 20 vjet burg në mungesë, me akuza për terrorizëm. Serbia nuk arriti të më gjunjëzojë asnjëherë. Sot, fatkeqësisht, disa shqiptarë po flasin me të njëjtën gjuhë që dikur fliste Serbia. Kush mendon se mundet të më gjunjëzojë, le ta provojë!”, ka shkruar Lushtaku.

