Sa larg do të shkojë “përçarja” politike Trump-Merz?

Sa larg do të shkojë “përçarja” politike Trump-Merz?

Kancelari gjerman kaloi muaj duke ecur në një litar të tendosur me Donald Trump. Tani, duket se po humbet ekuilibrin.

Me këtë frazë përshkruhet kriza në marrëdhëniet e Friedrich Merz me presidentin amerikan ,mes trazirave të përgjithshme në NATO, me kritika të ashpra nga të dyja palët, sulme të drejtpërdrejta dhe një tërheqje të njëanshme në 24 orët e fundit.

Siç raportohet, Merz ka bërë më shumë se çdo udhëheqës tjetër evropian për të fituar favorin e Trump, duke e konsideruar si një domosdoshmëri strategjike mbajtjen e lidhjeve të ngushta me një president i cili njihet për mbajtjen e mërive dhe nuk ngurron t’i shprehë ato publikisht, transmeton euronews.al.

Megjithatë, nën presionin politik në rritje në vend, Merz kohët e fundit ka ashpërsuar kritikat e tij ndaj Trump, i cili është thellësisht jopopullor në Gjermani, ashtu si edhe lufta në Iran.

Kronika e përçarjes

Disa ditë më parë, ai bëri kritika të ashpra ndaj luftës, duke theksuar, ndër të tjera, se SHBA-të po “poshtërohen” nga Irani.

Pra, gjithçka tregon se udhëheqësi gjerman e ka humbur ekuilibrin në këtë vijë të hollë, shkruan Politico. Dhe, më e rëndësishmja, duket se kjo e shqetëson vërtet Trumpin, shton ajo.

Presidenti amerikan nuk hezitoi për asnjë moment të përgjigjej. Ai e sulmoi Merzin nëpërmjet Truth Social, ndërsa kërcënoi me një skenar makth për gjermanët: një tërheqje të trupave amerikane nga Gjermania.

Kancelarja gjermane u përpoq ta lehtësonte tonin, duke deklaruar se “gjithçka është në rregull” në lidhje me “marrëdhënien më të rëndësishme strategjike” të Berlinit.

Siç vlerësohet, Merz ndoshta po vinte bast se çështja do të kapërcehej dhe se Trump nuk do ta përshkallëzonte më tej situatën. Në fund të fundit, nuk do të ishte hera e parë.

Kancelari gjerman e kishte parë Trumpin të kërcënonte në javët e fundit se do të “shkatërronte” marrëveshjen tregtare të SHBA-së me Mbretërinë e Bashkuar për shkak të kundërshtimit të Keir Starmer ndaj luftës me Iranin. Ai e kishte parë gjithashtu të kërcënonte se do t’i “vërë embargo” Madridit për shkak të kritikave, edhe më intensive, ndaj kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez. Në asnjërin rast, presidenti amerikan nuk i zbatoi kërcënimet e tij.

Megjithatë, Trump u rikthye dje, me një postim të ri kundër Merz, duke treguar se nuk ka ndërmend ta ulë tonin ndaj Berlinit.

“Kancelari i Gjermanisë duhet të kalojë më shumë kohë duke i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, dhe duke rregulluar vendin e tij të shkatërruar, veçanërisht në lidhje me emigracionin dhe energjinë, dhe më pak kohë duke ndërhyrë tek ata që po heqin qafe kërcënimin bërthamor iranian, duke e bërë kështu botën, përfshirë Gjermaninë, një vend më të sigurt!”, shkroi ai në Truth Social.

Trump e ka lavdëruar më parë qeverinë gjermane për politikat e saj të emigracionit dhe energjisë, dhe gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale, ai e përshkroi atë si një “mik” që po bën “një punë vërtet të shkëlqyer”.

Nga ana e tij, Merz kishte miratuar një strategji për të shmangur përballjen publike me presidentin e SHBA-së, pavarësisht mosmarrëveshjeve të thella për shumë çështje, nga Ukraina te tregtia. Qëllimi i tij ishte të ruante një klimë dhe ndikim të mirë në mënyrë që të sillte SHBA-në më afër qëndrimeve gjermane.

Sipas raportimeve, kjo është një strategji që përshtatet në pamjen e përgjithshme: megjithëse Berlini kërkon pavarësi të menjëhershme ushtarake dhe ekonomike nga amerikanët, gjermanët janë të vetëdijshëm se do të vazhdojnë të varen nga Shtetet e Bashkuara për shumë vite që do të vijnë në shumë fusha, duke përfshirë parandalimin bërthamor dhe ndarjen e informacionit. Prandaj, pavarësisht dallimeve themelore, Merz ishte përpjekur të ruante marrëdhëniet dypalëshe në nivelin më të mirë të mundshëm.

Megjithatë, kancelari gjerman herë pas here “devijoi” nga ky drejtim, për dy arsye: ose për shkak të acarimit të tij me vendimet e presidentit amerikan ose sepse u përball me kosto politike brenda vendit, duke u paraqitur si “mik i mirë” i një presidenti që ishte veçanërisht jopopullor në opinionin publik gjerman.

Kur foli për “poshtërimin e amerikanëve nga Irani”, ai i kaloi të gjitha kufijtë, duke rrezikuar një përçarje me një president të njohur për hakmarrjen e tij.

Rreziqet janë të larta për Gjermaninë, vazhdon raporti. Ka zëra më të moderuar që thonë se amerikanët kanë nevojë për praninë ushtarake në Gjermani për operacionet e tyre. Ata argumentojnë se, pavarësisht sulmeve të Trump ndaj Merz, bashkëpunimi ushtarak në terren mbetet i ngushtë dhe një tërheqje e SHBA-së duket jorealiste.

“Kjo nuk është hera e parë që përballemi me kërcënime të tilla”, thotë Christoph Schmidt, anëtar i parlamentit në qeverinë e koalicionit të Merz.

“Një tërheqje e menjëhershme e SHBA-së nga Gjermania është thjesht e pamundur. Dhe në planin afatgjatë, kjo do të dobësonte aftësitë operacionale të ushtrisë amerikane në mbarë botën”, shtoi ai.

Gjatë mandatit të parë të Trump, u njoftuan plane për tërheqjen e 9,500 ushtarëve amerikanë nga bazat gjermane. Në fund të fundit, ato nuk u realizuan kurrë dhe Joe Biden, i cili e pasoi atë në presidencë, i dha fund çdo planifikimi të lidhur me këtë.

Trump ka tre vjet kohë për të sjellë një plan të ngjashëm. Por, rreziku më i madh për Merzin është se “dera dhe veshët e Trumpit do të mbyllen ”, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Merz tani duket i gatshëm të kthehet në kampin e “miqve të mirë” të presidentit amerikan. Siç tha vetë këtë javë: “Marrëdhëniet tona mbeten, nga perspektiva ime, më të mira se kurrë.”

Share This