
Rutte: Të rrisim shpenzimet për mbrojtjen, Rusia po zhvillon shumëfish më shumë municione se NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkoi rritje të shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet e aleancës, duke theksuar rrezikun në rritje nga Rusia.
Në një deklaratë para takimit ministror të NATO-s në Bruksel, Rutte tha se vendet duhet të angazhohen të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen, ndaj 2 % që është aktualisht.
Sipas tij, Rusia prodhoi katër herë më shumë municione brenda tre muajsh sesa e gjithë NATO-ja arrin të prodhojë në një vit, pavarësisht se ka një ekonomi 25 herë më të vogël.
Ai paralajmëroi se një sulm i mundshëm nga Rusia në territorin e NATO-s mund të ndodhë brenda 3 deri në 5 vitet e ardhshme, nëse aleanca nuk vepron me urgjencë.
“Rusët, ndërsa flasim, po rindërtohen me një ritëm të shpejtë dhe po prodhojnë katër herë më shumë municione në tre muaj sesa e gjithë NATO-ja në një vit. Pra, ne duhet të rrisim shpenzimet tona të mbrojtjes, dhe kjo përfshin komandën dhe kontrollin, sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi për të qëndruar të sigurt në rast se rusët vendosin të na sulmojnë brenda tre deri në pesë vjetësh”, tha Rutte.
Kërkesa për rritje të shpenzimeve do të jetë në fokus edhe gjatë samitit të liderëve të NATO-s që do të mbahet në Hagë më 24 dhe 25 qershor, ku pritet të merren vendime kyçe për të ardhmen e mbrojtjes europiane. /RTSH/