
Rusia dhe NATO përshkallëzojnë tensionet, Inteligjenca daneze paralajmëron për sulme të kufizuara
Inteligjenca ushtarake daneze paralajmëron për rrezik në rritje nga Rusia, por pushtimi i një vendi të NATO-s mbetet shumë i pamundur.
Kreu i inteligjencës ushtarake daneze, Thomas Ahrenkel, deklaroi se ekziston një “rrezik i vogël, por në rritje” që Rusia të ndërmarrë veprime të kufizuara ushtarake kundër një shteti anëtar të NATO-s që kufizohet me të.
Megjithatë, ai theksoi se një pushtim i plotë rus mbetet “shumë i pamundur”, edhe pse nuk mund të përjashtohet krejtësisht.
Ky vlerësim vjen në një kohë kur Evropa ndodhet në gjendje të shtuar gatishmërie përballë kërcënimit rus, ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë.
Ahrenkel sqaroi se një skenar i mundshëm mund të ishte një ofensivë e kufizuar për të detyruar vendet evropiane të ridrejtojnë burime larg mbështetjes për Kievin
Inteligjenca daneze paralajmëroi se përballja me Rusinë nuk kufizohet vetëm në rrezikun e një sulmi ushtarak tradicional. Kopenhageni sheh rrezik në forma të tjera të “luftës hibride”, përfshirë sulme kibernetike, sabotim, spiunazh dhe operacione ndikimi.
Këto veprime synojnë dobësimin e mbështetjes për Ukrainën dhe pengimin e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë edhe transportin e pajisjeve ushtarake.
Agjencia paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e intensifikimit të sulmeve kibernetike shkatërruese që mund të prishin funksione jetësore shoqërore, si dhe për rreziqe në rritje nga spiunazhi rus dhe sabotimi brenda Danimarkës.
Ahrenkel theksoi se çdo lëvizje e madhe ushtarake ruse do të ishte e vështirë për t’u fshehur, pasi mobilizimi i forcave kërkon muaj përgatitje, duke lejuar monitorimin e treguesve të gatishmërisë. Për momentin, Danimarka nuk pret një sulm tradicional rus ndaj saj, por mbetet e përgatitur për forma të tjera të përballjes. /rtsh/

