Rubio i bën thirrje Iranit të bëjë lëshime ndërsa negociatat me SHBA-në afrohen

Rubio i bën thirrje Iranit të bëjë lëshime ndërsa negociatat me SHBA-në afrohen

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i bëri sot thirrje Iranit të bëjë lëshime në negociatat e ardhshme me Uashingtonin, duke thënë se bisedimet do të duhej të adresonin një sërë çështjesh të rëndësishme në mënyrë që të prodhojnë një rezultat “kuptimplotë”.

“Nëse iranianët duan të takohen, ne jemi gati”, tha Rubio për bisedimet e planifikuara për të premten.

Por, ai tha se programet bërthamore dhe balistike të Iranit, mbështetja e tij për organizatat terroriste në të gjithë rajonin dhe trajtimi i popullit të vet do të duhej të diskutoheshin në tryezë.

“Në fund të fundit, SHBA-ja është e përgatitur të angazhohet dhe gjithmonë ka qenë e përgatitur të angazhohet me Iranin”, u tha ai gazetarëve.

Irani ka refuzuar publikisht të bëjë ndonjë lëshim në programin e tij të raketave, ndërsa sinjalizoi gatishmërinë për të pranuar kufizime në aktivitetet e tij bërthamore.

Sipas mediave iraniane, përfaqësuesit nga të dy vendet do të rifillojnë negociatat “indirekte” këtë të premte në Oman, që do të thotë se ministri i Jashtëm i Omanit do të përcjellë përsëri mesazhe midis dy palëve, siç bëri vitin e kaluar.

Irani tha se ministri i Jashtëm Abbas Araghchi do të përfaqësonte Teheranin. Rubio tha se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të ishte i pranishëm në bisedime, por nuk e konfirmoi Omanin si vendin e takimit.

Ushtria amerikane që atëherë ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake në rajon, me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe anije të tjera që kanë arritur në Lindjen e Mesme. /ATSH/

Share This