
Rritja e çmimit të energjisë, pritet të protestohet me 5 prill
Në kohën kur është paralajmëruar rritja e çmimit të energjisë edhe për 15 për qind, qytetarët pritet që të protestojnë më 5 prill për të kundërshtuar këtë rritje.
Për këtë çështje u diskutua në specialen e RTK-së, ku, Luan Hasanaj nga nisma “Asnjë cent më shumë”, tha se për qytetarët rruga e vetme është protesta.
“Mendoj që edhe debati si i tillë, nuk them që është i panevojshëm të diskutohen çështjet teknike, por duhet marrë për bazë së pari gjendjen socio-ekonomike të vendit. Kur ne përballemi me një situatë kur çmimet kanë pësuar rritje, dhe në anën tjetër qeveria i ka lëvizjet tejet të ngadalshme, për t’i përmirësuar kushtet, duke filluar nga rritja e pagave, ku do të kishin bërë të përballueshëm pagesën e këtij çmimi”.
Sipas Hasanajt, nuk do të ketë vetëm rritje të çmimit të energjisë, por do të ketë zinxhirë të rritjes së çmimeve.
“Nuk do të jetë i vetmi, por do të pasohet nga një zinxhir i rritjes së çmimeve. Neve si qytetarë çka na mbetet tjetër, vetëm që të kërkojmë të na mundësohet të jetojmë normalisht në këtë vend. Cila është rruga. Rruga e vetme është protesta për të kërkuar përgjegjësi, llogari, sepse tek e fundit qytetarëve nuk iu interesojnë çështjet teknike, investime në termocentrale. Qytetarit thjesht i intereson ekzistenca”, tha ai.
Ndërkaq, Agron Demi, nga Instituti “Atlas”, tha se tash ZRrE-ja është para një akti të kryer, kur operatorët aplikojnë për rritje të hyrave maksimale, ZRrE nuk ka ku t’i ikë kësaj.
Sipas tij, fajin për këtë çështje e ka qeveria aktuale dhe ato të mëhershme që e kanë shtyrë problemin.
“Problemi është se ndër vite, edhe pse është institucion i pavarur, qeveritë që mos të humbin mbështetjen e publikut, e kanë pamundësuar rritjen reale të çmimit. Tash jemi para një kolapsi ku ose duhesh të rritësh çmimin e energjisë për të mbuluar koston e prodhimit, ose për të fshehur përmes subvencioneve indirekte që i bën qeveria. Më e keqja është kjo që qeveria i bën përmes subvencioneve indirekte, për shkak që ne i paguajmë me taksat tona. Pra, në këtë fazë nuk i lë faj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, faji komplet është i qeverisë aktuale dhe i qeverive të mëhershme që e kanë shtyrë problemin, dhe tash problemi është aq i madh. Ne i kemi dy termocentralet më të vjetra në Evropë. Ne si institut e kemi parë si zgjidhje më të mirë të hiqet TVSH-ja për 8 për qind në faturat e energjisë, nuk do të ishim vendi i parë që do ta bënim këtë, dhe nuk do ta prekte aq shumë buxhetin e Kosovës”, tha Demi në RTK.