Rriten rastet me COVID-19, IKSHPK del me rekomandime
Në dy javët e fundit në vendin tonë është regjistruar një rritje e ndjeshme e rasteve pozitive me COVID-19.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga data 7 deri më 20 gusht janë raportuar gjithsej 661 raste të reja, derisa kanë vdekur tre persona me COVID-19.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, grupmosha më e prekur gjatë kësaj periudhe është ajo e personave të moshës 50-59 vjeç, me 119 raste, ndërsa grupmosha 20-29 vjeç ka regjistruar 116 raste. Mosha mesatare e të infektuarve është 49.3 vjeç dhe kjo tregon se virusi po prek një gamë të gjerë të popullsisë.
“Vaksinimi vazhdon të jetë masa mbrojtëse me efikase kundër COVID-19 dhe gripit, veçanërisht ndaj formave të rënda të sëmundjes. Mbrojtja përmes vaksinës e individëve në rrezik të lartë të rezultateve të rënda (si p.sh. të moshuarit) mbetet i rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Në përballje me këtë situatë, IKSHPK bën thirrje për vigjilencë të shtuar nga ana e punëtorëve shëndetësorë dhe rekomandon disa masa kyçe për mbrojtjen e shëndetit publik, siç janë pastrimi i duarve, mbajtja e maskave, izolimi pesëditor i të prekurve nga virusi etj, raporton rtk.