Rohde përshëndet vendimin për hapjen e Merdares për mallrat e Serbisë
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdare për mallrat që vijnë nga Serbia.
“Ky shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”, ka shkruar ai në X.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot ka thënë se Republika e Kosovës ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimet deri te kontrolli i shtuar, por vetëm për një pikë kufitare, atë në Merdar. Për të tjerat pika Kurti tha se masa do të ndërrojë posa Kosova t’i ketë skanerët që do të vendosen në të gjitha pikat kufitare.
Kreu qeveritar ka përsëritur se masat asnjëherë nuk kanë qenë tregtare, por të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se ky vendim është marrë në koordinim të plotë me BE-në, veçmas Qeverinë, raporton rtk.