Rinia e LDK-së mban tubim, Abdixhiku: Kjo e ardhme nuk i takon atyre që ndajnë e përçajnë, kjo e ardhme na takon të djathtëve

Rinia e LDK-së mban tubim, Abdixhiku: Kjo e ardhme nuk i takon atyre që ndajnë e përçajnë, kjo e ardhme na takon të djathtëve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur Forumin e Rinisë në kuadër të fushatës “Turneu i Ndryshimit” në Prishtinë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër, ka theksuar rëndësinë e rinisë si shpresë dhe forcë për të ardhmen e Kosovës.

Ai ka lavdëruar organizimin rinor të LDK-së si më të madhin në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar besimin në një Republikë të fortë dhe të barabartë.

“Për ta thënë qartë, për ta thënë thjeshtë, për ta thënë zëshëm, për ta thënë krejt në fillim, nuk ka asnjë dyshim se jeni organizmi më i madh rinor po se po në Kosovë, po se po mes shqiptarëve, po se po dhe pa asnjë diskutim, organizmi më i madh rinor në gjithë Ballkanin Perëndimor. Në këtë atmosferë të flaktë që paskeni bërë sonte, qëndroj para jush, jo vetëm si kryetar i formacionit të vetëm pavarësist e demokratik nëvend, jo vetëm si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por qëndroj, sikurse ju, sikurse secili prej jush, si një ëndërrimtar i madh i të ardhmes që duam ta kemi dhe – më lejoni ta them me plot bindje sedo ta kemi. Kjo e ardhme nuk i takon atyre që ndajnë e përçajnë. Kjo e ardhme na takon neve! Të djathtëve, djemve e vajzave të Lidhjes Demokratike të Kosovës; shpresës së parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës. Kjo e ardhme u takon atyre që besojnë në Republikë! Besojnë në vendin tonë origjinal, të barabartë e krenarë, mes popujve e kombeve Evropiane”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka theksuar se e ardhmja e Kosovës i takon atyre që besojnë në rininë dhe që guxojnë të ëndërrojnë dhe të veprojnë për ta realizuar atë, duke premtuar se LDK do të sjellë ndryshime të forta në zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo e ardhme u takon atyre që besojnë në rini, në juve, pasurisë më të madhe tonën. U takon atyre që ëndërrojnë dhe guxojnë të ëndërrojnë; guxojnë t’i kthejnë këto ëndrra në veprime e aksione, aq të forta, aq të qarta, aq dridhëse, sa që do të dridhin Kosovën më 9 shkurt të vitit që po na vjen. Do ta dridhin aq fort e aq qartë, sepse ne jemi Lidhja Demokratike! Ne jemi vet e ardhmja e Kosovës. Kosova, Republika jonë, është jo vetëm shtet i ri, por dhe vend i të rinjëve. Vendi me moshën më të re në gjithë Evropën. Më shumë se gjysma e bashkëqytetarëve tanë janë sikurse ju; nën moshën 30 vjecare. Dhe ky s’është veçse një numër i rëndomtë që na mbushë fjalimet, ky fakt, është një forcë, është një shpresë, është një aset”, ka thënë ai.

Kryetari i Forumit të Rinisë, Paris Guri theksoi se ky forum është një lëvizje e të rinjve që kërkojnë ndryshim.

Ai theksoi se, përkundër vështirësive dhe largimit të rinisë nga vendi, ndryshimi bëhet me 9 shkurt.

“Me punën tuaj, keni dëshmuar se kur bashkohemi për një qëllim të përbashkët, mund të arrijmë më shumë se çdo kush tjetër. Ky forum nuk është vetëm një organizatë, është një lëvizje e të rinjve që refuzojnë të pranojnë nënshtrim e kufizim, një grup që e di se ndryshimi bëhet bashkë. Angazhimin për rininë e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, jeni krenar me punën tuaj, falë saj sot jemi padyshim organizata më e madhe, këtë e dëshmon edhe ky tubim, që partia në pushtet do ta ëndërronte ta kishte. Forumi i Rinisë është dëshmi e kësaj shprese. Në dy vite, kemi treguar se çfarë mund të bëhet kur të rinjtë e Kosovës bashkohen për diçka më të madhe se vetja”, tha ai.

Guri tha para tyre është një rrugë e gjatë, e mbushur me sfida që kërkojnë guxim, përkushtim dhe vizion të palëkundur.

“Sot, të rinjtë e Kosovës po largohen me një ritëm që nuk kemi parë më parë. Ata po largohen sepse nuk shohin ura, por mure. Nuk shohin mundësi, por korrupsion. Nuk shohin shpresë, por paranojë dhe frikë. E ne ju themi mos u dorëzoni, ditët e mira po vijnë, dhe po vijnë shpejt. Më 9 shkurt bëhet ndryshimi, kthehet shpresa. Sepse, Ne ofrojmë 120 milionë euro për tech-fondin, ata ofrojnë nga 100,000 euro për vëllezër e dajë. Sepse, Ne ofrojmë 15 milionë euro në vit investime për zhvillimin e inteligjencës artificiale, ata na e fyejnë inteligjencën tonë çdo ditë,” ka thënë Guri.

Share This