
Rangnick: Nuk duam të humbim në Prishtinë, synojmë tri pikët
“Natyrisht, nuk duam të humbim në Prishtinë. Por ne duam t’i marrim tri pikët, ashtu siç donim në Irlandë. Në pjesën e dytë luajtëm me të gjitha forcat dhe morëm një pikë”, është shprehur trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, në prag të ndeshjes ndaj Kosovës.
Kosovë – Austri do të luhet nesër nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Rangnick ka thënë se skuadra e tij do të kërkojë fitoren në Prishtinë, ndërsa ka kërkuar edhe durim nga futbollistët e tij gjatë ndeshjes.
“Duhet të jemi të durueshëm dhe deri në fund të jetë baras. Durimi duhet të jetë maksimal. Duhet ta shohim edhe një herë ndeshjen e parë dhe pastaj të shohim”, ka thënë ai.
Trajneri austriak ka folur edhe për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”, duke e krahasuar atë me terrenin në Vjenë.
“Është komplet ndryshe. Në Vjenë luajtëm në një terren të freskët, të sapo rinovuar. Në Prishtinë kam parë një terren jo shumë të mirëmbajtur. Është e pakuptimtë. Moti është i mirë dhe terreni duhej të ishte në nivel”, ka deklaruar Rangnick.
Megjithatë, ai ka thënë se gjendja e fushës do të jetë e njëjtë për të dyja skuadrat.
“Do të jetë njësoj për të dyja. Njoh edhe disa lojtarë të Kosovës që nuk do t’u pëlqejë terreni”, ka shtuar trajneri i Austrisë.
Në konferencën për media ka folur edhe Patrick Wimmer, i cili ka thënë se Austria është përgatitur maksimalisht për përballjen me Kosovën.
“Atmosfera është në rregull. Rezultati në Irlandë nuk ishte ai që menduam. Nesër duam të fitojmë. E shohim një ndeshje të vështirë, por jemi përgatitur maksimalisht”, ka thënë Wimmer.
Ai ka deklaruar se është i kënaqur me minutazhin që po merr me Austrinë dhe se skuadra ka pasur mundësi të rikuperohet mirë para ndeshjes.
“Jam i lumtur që po luaj shumë dhe do të luaj edhe ndaj Kosovës. Kemi edhe rigjenerim të mirë nga stafi dhe kemi mundësi të kemi minutazh të madh”, ka deklaruar Wimmer.
Sulmuesi austriak ka thënë se nga futbollistët e Kosovës njeh më mirë Fisnik Asllanin, Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin, të cilët luajnë te Hoffenheimi. Ai e ka konsideruar Asllanin si lojtarin më të rrezikshëm të Kosovës.
Pas tri ndeshjeve, Austria prin në Grupin B3 me shtatë pikë. Kosova dhe Irlanda kanë nga katër pikë, ndërsa Izraeli është i fundit me një pikë.

