Rama: Samiti i Komunitetit Politik Evropian vitin tjetër në Tiranë
Samiti i Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt dje në Londër, vitin tjetër do të mbahet në Tiranë.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi se ky është një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në punimet e Samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua në Britaninë e Madhe.
Në këtë samit u organizua një pritje për liderët nga mbreti Çarls III dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Gjithashtu, u organizuan edhe dy tryeza të rrumbullakëta: një për emigracionin e paligjshëm që u bashkëdrejtua nga Xhorxha Meloni (Giorgia) dhe kryeministri Rama; një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë, që u bashkëkryesua nga presidenti Sharl Mishel (Charles Michel) dhe presidenti malazez Jakov Milatoviç.