
Rama: Për ne në Shqipëri, BE është një fe
Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë mbështetjen që gëzon Bashkimi Europian në Shqipëri. Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale në Londër, Rama tha se për shqiptarët, “BE është një fe”, teksa përmendi edhe objektivin për anëtarësimin e vendit brenda kësaj dekade.
“Shqipëria është në një pozitë të mirë. Tani jemi në një moment përshpejtimi shumë të madh të rrugëtimit tonë drejt BE-së. Ata e kuptojnë që duhet të bëjnë gjithçka për të bashkuar Ballkanin Perëndimor me BE. Nëse gjërat do të vazhdojnë siç janë sot, jam optimist që shumë shpejt, brenda kësaj dekade do të jemi pjesë e BE.
Nëse gjërat ndryshojnë dhe Europa kthehet pas në zonën e vet të rehatisë, kjo mund të ndryshojë, por për momentin jam optimist. Për ne në Shqipëri, BE është një fe. 92% e njerëzve duan që Shqipëria të jetë në BE. Është e jashtëzakonshme sepse kemi një politikë kaq të polarizuar sa është e vështirë të kemi të njëjtin mendim edhe sa është ora, por kur vjen puna te BE, nuk ka diskutim, të gjithë duam të jemi pjesë e BE. Jo pse jemi naivë mendoj, por sepse ende e kemi të freskët në kujtesë sesi dukeshin gjërat jashtë BE-së”, tha Rama. /rtsh/


