
Rama: Pa tarifa nëse zhbllokohen fondet e BERZH-it për unazën e qytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se vendosja e një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet nuk do të jetë e nevojshme nëse Qeveria zhbllokon fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e unazës së qytetit.
Në një status në Facebook të mërkurën, Rama ka theksuar se propozimi për tarifim është vetëm në fazë diskutimi dhe nuk është vendim i marrë. Ai ka thënë se çdo vendim përfundimtar do t’u takojë qytetarëve.
“Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, ideja lidhet me nevojën për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, veçanërisht unazën e qytetit, e cila sipas tij do të ulte trafikun, kolonat dhe ndotjen.
Rama ka përmendur se paketa financiare për projektin kap vlerën rreth 206 milionë euro, ku deri në 40 për qind janë grant.
“Ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të unazës së qytetit. Nëse këto fonde zhbllokohen nga Qeveria, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, ai ka shtuar se tarifa e kongjestionit po shqyrtohet vetëm si opsion alternativ financimi në rast se fondet nuk zhbllokohen, duke theksuar se zhvillimi i kryeqytetit nuk duhet të mbetet peng i përplasjeve politike.

