Qosja për Kadarenë: Personalitet madhështor historik i kombit shqiptar

Qosja për Kadarenë: Personalitet madhështor historik i kombit shqiptar

Me rastin e ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, akademik Rexhep Qosja ka ngushëlluar familjarët e kolosit të letërsisë shqiptare, teksa nuk ka hezituar të flasë edhe rreth raporteve të mëhershme që patën nxitur polemika.

Në një postim në Facebook, akademik Qosja ka thënë se Ismail Kadare do të mbetet personalitet madhështor historik i kombit shqiptar.

Ai e ka pranuar se ka pasur gjykime e vlerësime polemike me kolosin e letrave shqipe “si pasojë e pikëpamjeve të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi”.

“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse  e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”, ka shkruar Qosja.

Ai ka edhe një porosi për “mospajtuesit që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej atdheut”.

“Unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, ka shtuar Qosja.

Qosja ka thënë se emri dhe jetëshkrimi i Kadaresë janë të gjithmonshëm, pasi janë emër dhe jetëshkrim i pavdekshëm dhe historik.

“Krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”, ka shkruar Qosja.

Qosja ka thënë se ai dhe Kadare kanë pasur takime familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella, dhe se mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes tyre në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin e tij ndaj Kadaresë kur ky i fundit do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

“Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare.  Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë. Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të botuar në Paris. Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore”, ka përfunduar Qosja.

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare në Tiranë. /ksp/

Share This