Protestat në Bangladesh kundër kryeministrit shoqërohen me mbi 70 të vrarë
Protestat kundër sistemit të kuotave të punës në Bangladesh janë shndërruar në një lëvizje të gjerë antiqeveritare, e cila raportohet t’u ketë marrë jetën dhjetëra personave.
Të paktën 76 të vrarë, mes tyre edhe 13 oficerë policie, është bilanci i raportuar nga policia dhe doktorët e kryeqytetit Daka pasi mijëra protestues dolën dje në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sheik Hasina (o. Sheikh).
Përballë protestuesit qëndruan policët të armatosur me gaz lotsjellës dhe granata tymuese. Një rajon policie në Enajetpur u bastis nga protestuesit.
Prej muajit korrik, demonstratat nisën me studentët, të cilët u ngritën kundër një vendimi të qeverisë për të vendosur vendet e lira për punë në shtet.
Deri tani 30 për qind e vendeve në qeveri janë caktuar për familjet e veteranëve që luftuan për pavarësinë e Bangladeshit kundër Pakistanit në vitin 1971. Gjykata e Lartë e uli sistemin e kuotave në 5 për qind, nga të cilat 3 për qind shkojnë për të afërmit e veteranëve të luftës.
Ndërsa muajin e kaluar u raportuan 200 të vrarë, autoritetet bangladeshase kanë bllokuar aksesin në internet dhe kanë shpallur shtetrrethimin nga ora 6 e pasdites, me urdhrin për të qëlluar këdo që e shkel atë.
Rreth 11 mijë persona janë arrestuar në javët e fundit. Protestuesit kanë bërë thirrje për mosbindje civile, që qytetarët të mos paguajnë taksat dhe faturat e ujit dhe energjisë elektrike, dhe të mos paraqiten në punë të dielën.
Qeveria, ndërkaq, ka shpallur ditë festash nga e hëna deri të mërkurën. /AJ