Protesta në Hagë, Gucati: Mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë

Protesta në Hagë, Gucati: Mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë

 Mijëra shqiptarë nga e gjithë bota janë mbledhur pranë parkut të muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tashmë pesë vjet po mbahen në paraburgim.

Me një thirrje emocionale dhe të fuqishme, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka nisur fjalimin e tij duke përmendur emrat e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Gjatë fjalës së tij, Gucati theksoi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk janë vetëm çështje juridike, por prekin dinjitetin e një populli të tërë.

“Sot këtu në zemër të Evropës, nuk flasim vetëm për katër mure, për një proces gjyqësor, apo për disa aktakuza. Ne flasim për dinjitetin e një populli, për një drejtësi që na është mohuar, për historinë e shenjtë të UÇK-së që po përpiqen ta shtrembërojnë”, u shpreh Gucati.

Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u lind nga urrejtja, por nga padrejtësia, dhe se lufta e saj nuk ishte për pushtet, por për liri. “Liria nuk ishte dhuratë, ishte gjaku e sakrifica e djemve e vajzave që ranë për tokë e flamur”, tha ai.

Gucati kritikoi ashpër heshtjen e ndërkombëtarëve përballë, siç tha ai, burgosjes së padrejtë të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe përpjekjeve për të njollosur emrin e saj. “Ndjejmë zemërim për heshtjen e ndërkombëtarëve, dhe krenari se jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as përpara tankeve e helikopterëve serbë”, theksoi ai.

Ai bëri thirrje për drejtësi të barabartë, duke kërkuar që historia të shkruhet mbi të vërtetat e luftës çlirimtare dhe jo përmes aktakuzave politike.

“Mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, jo vetëm për UÇK-në”, theksoi Gucati. /rtk/

Share This