Protesta e opozitës para bashkisë së Tiranës, digjen goma makinash
Përpara bashkisë së Tiranës vijon sot protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë.
Në protestën e 14-të përpara bashkisë së Tiranës ata kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Protestuesit kanë vendosur goma të vjetra para bashkisë të cilave u kanë vënë flakën, ndërkohë që Policia bëri thirrje për vetëpërmbajtje.
Në fjalën e mbajtur gjatë protestës, drejtuesi politik i PD-së për degën e Tiranës, Belind Këlliçi tha se “kjo nuk është më godina e bashkisë së Tiranës. Kjo është një skenë krimi, ku çdo ditë, kreu i bandës 5D dhe pronari faktik i inceneratorit të Tiranës shkon në zyrë për të vjedhur taksat tona”.
Dorian Teliti, nënkryetari demokrat i këshillit bashkiak të Tiranës tha se “në fasadë kanë vënë flamurin kombëtar, por brenda është një çerdhe hajdutësh. Dje vodhën edhe 80 milionë euro, dhe për çfarë, për të siguruar gjoja ujë 24 orë për qytetarët e Tiranës. Po a e rriten çmimin para 8 vitesh me 44 përqind pikërisht që të ketë ujë 24 orë”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, njëkohësisht anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës u shpreh se “këto zyra shteti janë kthyer në strofullat më të sigurta të krimit. Vetëm SPAK nuk i sheh këto prova krimi në çdo qoshe të Tiranës”. /atsh/